Çështja e taksës kundër Serbisë është tema më e diskutuar.

Janë shtuar tensionet në relacionin President –Kryeministër pas refuzimit të Ramush Haradinajt që ta heq taksën edhe pas një presioni të madh amerikan.

Të premten Thaçi e Haradinaj kanë polemizuar në distancë. I pari e ka quajtur Haradinajn mik të Milan Radojciq, një zyrtar i Listës Srpska që kërkohet për vrasjen e Oliver Ivanoviq ndërsa Haradinaj është përgjigjur duke thënë se Thaçi i ka bërë dëme shumë vendit dhe është fajtor për “avancimin e idesë së ndarjes”.

Pritjen zyrtare që ia kishte bërë Ramush Haradinaj kohë më parë Milan Radojciqit në kryeministri si përfaqësues nga ‘Lista Serbe’, tashmë Hashim Thaçi po e përdor në luftën e tij politike ndaj kryeministrit të Kosovës, si njëri nga zërat më të fuqishëm kundër idesë për korrigjim të kufijve, shkëmbim të territoreve e ndarje të Kosovës.

Në një fjalim të mbajtur në Tiranë në një samit të Diasporës shqiptare, presidenti Thaçi ka thënë se për ndarje flasin miqtë e Milan Radojiçiqit të Listës Serbe.

“Për ndarje të Kosovës dhe ekzagjerime të temave të tilla, dhe ata që flasin sot janë ata që kanë ndihmuar Millosheviqin, dhe janë miqtë e Radojciqit, që i kam dëbuar nga Kosova”, ka thënë Thaçi i tensionuar në Tiranë.

Përveç Haradinajt, në këtë fjalim ai e ka goditur edhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën, njërin prej kundërshtarëve më të ashpër të pazareve me kufijtë e Kosovës, që idenë për korrigjim të kufirit e kishte quajtur një ide serbe.

Ndërkohë me të njëjtën monedhë nga Prishtina i është kundërpërgjigjur kreu i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se të gjithë presionin e ndërkombëtarëve për heqjen e taksës e ka orkestruar presidenti vendit Hashim Thaçi, me qëllim të realizimit të idesë për korrigjim të kufijve si pjesë të marrëveshjes finale me Serbinë.

“Krejt këto janë produkt i Prishtinës, i politikanëve të Prishtinës. Yryshi i tyre me shku e me iu thanë që rritne presionin se ka me u heq taksa, sepse kanë hyrë në ndonjë obligim me Vuçiqin, dhe po dojnë me na qit para aktit të kryer. Presidenti Thaçi, njerëzit rreth tij, dhe ata që kanë hek dorë kaq shpejt prej taksës, të gjithë e bojnë këtë me idenë që me u zbatu një projekt që mundet me qenë i dëmshëm”, ka thënë Haradinaj.

Ndër të tjera Haradinaj ka thënë se me idenë e tij për korrigjim të kufijve, presidenti Thaçi i ka shkaktuar dëme të mëdha Republikës së Kosovës.

“Shumë e du presidentin. Ai i ka bërë dëme të mëdha Kosovës me idetë e tij për dialogun. Edhe me avancimet për ndarje. Diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot”, ka thënë sot kreu i Qeverisë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here