Gjesti me shqiponjë i futbollistëve shqiptarë të Zvicrës sivjet ka hapur shumë debate dhe ka ngjallur emocione të ndryshme në opinionin zviceran.

Një juri tani e ka zgjedhur fjalën «shqiponjë» (Doppeladler) si fjalë të vitit.

Në fund të qershorit, gjatë ndeshjes kundër Serbisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, lojtarët e Zvicrës Granit Xhaka dhe Gjerdan Shaqiri pasi tundën portën e serbëve, bënë një gjest triumfues: formuan shqiponjën me gishta. Triumfit iu bashkua edhe lojtari Stephan Lichtsteiner.

Gjesti me shqiponjë ngjalli një debat që zgjati gjatë gati gjithë verës në Zvicër. Ishte një debat emocional – me shumë komente negative dhe me disa zëra që e mbrojtën gjestin me shqiponjë të futbollistëve shqiptarë.

Gjesti polarizoi shoqërinë zvicerane, nxiti ndjenja nacionaliste e refuzuese të shumë zviceranëve kundër të huajve, qofshin ata me apo pa shtetësi zvicerane.

Tani një juri nga Shkolla e Lartë e Zürichut për Shkenca Aplikative (ZWAH) ka vendosur që fjala «shqiponjë» (Doppeladler) të zgjidhet si fjala e vitit në Zvicër.

«Në vitin 2018 shqiponja ka qenë e pranishme gjithandej dhe është shfaqur në përditshmërinë e Zvicrës; me debatet mbi të do të merremi edhe një kohë të gjatë», thuhet në një njoftim të Shkollës së Lartë të Zürichut për Shkenca Aplikative.

Fjala e vitit në Zvicër zgjidhet nga viti 2003. Në vitin 2007 përgjegjësinë për të zgjedhur fjalën e vitit e ka marrë departamenti për linguistikë krahasimtare Shkollës së Lartë të Zürichut për Shkenca Aplikative.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here